FLAMURI SHQIPTAR - NEW FORMAT

 FLAMURI SHQIPTAR

(FORMAT I PËRMIRËSUAR DHE ME CA SHTESA, PREJ KËRKESAVE NGA TWITTER)


Ky dokumentar pati shumë sukses por, konkluzioni është thjesht .... fallco: Gjurme Shqiptare - Historia e Flamurit Shqiptar





    Si gjithmonë për një analizë, janë
3 hapa:


- Faktet

- Interpretimet

- Konkluzioni


    Faktet e mbledhura janë goxha mirë, por mungon një kryesor, që Shqiponja me një kokë ishte simboli i Legjioneve Romake gjithashtu.


    Faktet e mbledhura janë si më poshtë

- Shqiponja me dy kokë vjen nga adhurimi i ilirëve (paraqiten fakte)

- Shqiponja me dy kokë vjen nga Hititët (paraqiten fakte)

- Shqiponja me dy kokë vjen nga Bizanti (paraqiten fakte).


    Interpretimi është i balancuar, ku citohet edhe Eqerem Bej Vlora që shqiponja me dy kokë kishte kuptimin e Romës dhe Konstantinopojës Romës së Re të Perandorisë Romake (që është e vërteta e vetme në fakt).


    Konkluzioni është thjesht fallco. Konkluzioni është i njëjtë me metodologjinë standarde të Primordializmit të shpikur nga Romantikët Gjermanë në shekullin e 19 për krijimin e Gjermanisë.


    Ideja që një komb në mënyrë mistike apo të ndërgjegjshme prej shekujsh ruan identitetin etnik tashmë është hedhur poshtë këto 30 vjetët e fundit nga historiografia botërore. E ashtuquajtura Memorje Kolektive Kombëtare është thjesht propagandë, thjesht nuk ekziston. Siç e shpjegova edhe në këtë artikull, ORTODOKSIA SHQIPTARE, akademikët Grekë dhe Serbë tashmë e kanë pranuar. Madje edhe Kisha Serbe gati zyrtarisht e ka pranuar që identiteti etnik serb nuk ka ekzistuar në mesjetë, artikulli këtu.


    Arsyeja që akademitë shqiptare në Tiranë dhe Prishtinë vazhdojnë ende me historiografi fallco është që ato NUK janë integruar ende me sistemin akademik Perëndimor. Akademikët shqiptarë paguhen rroga qesharake për të përsëritur historiografi të 50 vjetëve përpara. Historianët serbë kanë vite që ankohen që ata tallen nga kolegët perëndimorë kur flasin për "shtetin apo identitetin serb" në mesjetë siç e kam shpjeguar këtu në këtë thurje me tweet. Historianët grekë e kanë pranuar 100% që identiteti grek nuk ekzistonte fare në mesjetë, lëre pastaj ndërgjegja e të qenit grek, e paimagjinueshme. Ndërgjegjet etnike ekzistonin vetëm tek Elita e Shkolluar, 0.1% e popullatës së mesjetës, që kishin akses tek arkivat e vjetra.

    Gjendja në shekullin e 19 gjatë shpërbërjes së Perandorisë Osmane ishte kaotike. Arkeologjia sapo kishte filluar të lulëzonte. Arkeologjia lulëzoi vetëm në gjysmën e dytë të shek 20, dhe shpërtheu vetëm këto 30 vjetët e fundit nga DNA dhe teknologjia. Njohuritë historike tani, janë ndryshe nga njohuritë historike 50 vjet përpara, që janë ndryshe nga njohuritë historike 100 vjet përpara. Teknologjia bën punën e vet. Izotopet, Interneti dhe DNA janë kapërcime masive në historiografi.


    Ka dy lloj historiografish, Historiografia Moderne dhe Tradita e Kishës. Tradita e Kishës ishte historiografia në fuqi deri në fund të shekullit të 19 kur filluan të bëheshin zbulime të mëdha.

    Për shembull Hititët mendoheshin që nuk ekzistonin nga Historianët Modernë, sepse ata përmendeshin vetëm në Bibël, Dhiatën e Vjetër. Por zbulimet në fund të shek 19 ndryshuan mendimin. Hititët ekzistonin.

    Një shembull tjetër, në traditën e kishës, Korneli, pagani i parë që u bë i krishterë ishte shqiptar, siç tregohet në këtë dokumentar nga Radio Ngjallja e Kishë Ortodokse Shqiptare. Sigurisht NUK ka (ende) zbulime historike për ta vërtetuar këtë.

    Mirëpo, tradita e kishës ishte faktor problematik për përcaktimin e historisë nga elitat etnike gjatë shpërbërjes së Perandorisë Osmane. Rikujtesë që katundarët shqiptarë, serbë, grekë, bullgarë, francezë, italianë etc, NUK kishin ndërgjegje etnike sepse nuk kishin shkollim. Memorja kolektive nuk ekzistonte.

    Në lidhje me Flamurin e shqiponjës me dy koka, tradita e kishës ishte tepër e qartë në shekullin e 19, dhe vazhdon të ngulmojë edhe tani në shekullin e 21, kur Historiografia Moderne NUK ka dalë në përfundim për shkak të mungesës së gjetjeve arkeologjike. Siç na tha edhe At Teologu, murgu i shenjtë nga Mali Athos, neve rinisë ortodokse në Tiranë vite përpara, tradita e kishës thotë që dy kokat e shqiponjës janë Roma dhe Konstantinopoja. Pikë, nuk dyshohet tradita e kishës.


Mirëpo, simboli i shiponjës me dy koka GABIMISHT tani i referohet vetëm Ortodoksëve. Kjo sepse historia është shuar nga mendja e njerëzve kur u shpërbë Perandoria Austro-Hungareze në traktatin e Versajës në 1920.

    Austro-Hungarezët kishin ekzaktësisht të njëjtin simbol si Konstantinopoja, Shqiponjën me dy koka. Kjo vjen nga krijimi i Perandorisë së Shenjtë Romake në 801 si aleancë e qytet-shteteve gjermanofolëse siç tregohet këtu. Shekulli i 9 është koha pas Karlit të Madh kur filloi çarja elitare se kush ishte nuk ishte Romak i Vërtetë ndërmjet Romës dhe Konstantinopojës Romës së Re. Gjermanikët ishin pasardhës të Legjioneve Romake në Evropën perëndimore, morën përsipër Simbolin Romak të shqiponjës.


    Me konfliktin ndërmjet Romës dhe Konstantinopojës në shekullin e 11 (viti 1054) ndarja elitare u përforcua me Perandorin Romak në Konstantinopojë që shtoi një kokë tjetër shqiponjës së legjioneve romake, duke pretenduar veten si Perandor i të dy Romave. Siç shihet dhe në link më lart, në 1404 Perandori i Perandorisë së Shenjtë Romake (më vonë u riquajt si Austro-Hungaria në shekullin e 19), pretendoi që ai ishte Perandori i Vërtetë i dy Romave të Shenjta, jo ai në Konstantinopojë. Është e qartë që nuk kishte dyshim që Konstantinopoja Roma e Re ishte Romake, thjesht një konflikt se kush ishte Romaku Perandor i Vërtetë. Pra, deri në vitin 1920 në Traktatin e Versajës, Shqiponja me Dy Koka shihej si Simbol i Krishterë Romak, pa dallim lindje apo perëndim, ortodoks apo katolik. Të qenurit Romak dhe të qenurit i Krishterë ishte ekzaktësisht e njëjta gjë. Madje Osmanët e kishin dhe si pjesë e Sistemit Milet, Rum = I Krishterë.


    Pas shuarjes së Habsburgëve në Traktatin e Versajës në 1920, Vatikani nuk e përdori atë simbol. Vetëm Patriakana Ekumenike e Stambollit dhe kishat etnike që atëherë u riemëruan si Ortodokse e vazhduan ta përdorin. Kjo shpjegon gabimin që shihet vetëm si Flamur Ortodoks tani. Shkurt e qartë, Shqiponja me Dy Kokë, sipas traditës së kishës (edhe ortodokse, edhe katolike), ishte simboli i Perandorisë Romake të Unifikuar me dy Kryeqytete në Romë dhe Konstantinopojë Roma e Re, që vinte nga Simboli i Legjioneve Romake, Shqiponja me një kokë. Kjo shpjegon qartë pse elita Ortodokse në fillim dhe ajo Katolike më pas, e Rilindjes Shqiptare, nuk kishin problem të përdornin të njëjtin Flamur, sepse Konstantinopoja dhe Vjena kishin të njëjtin flamur. Përdorimi i flamurit të Skënderbeut nga ortodoksët dhe katolikët ishte tepër normal për atë kohë, ku mbizotëronte tradita e kishës. Kishat Ortodokse dhe Katolike ende NUK ishin ndarë me vijë, procesi i ndarjes me vijë filloi në vitin 1870 me këshillin Vatikan I.


    Mirë atëherë, të krishterët ishin të bashkuar deri në vitin 1920 në Versajë, po Myslimanët dhe Bektashinjtë, përse ata PRANUAN, dhe madje ju lutën të krishterëve që të përdornin një Flamur të Krishterë si simbol të kombit të ri që po krijohej, kur majde ishin dhe shumicë?

    Arsyeja është këtu. West ignores massacres against Muslims. Perëndimi injoron masakrat ndaj myslimanëve.

    Sipas historianëve perëndimorë të cituar nga agjensia turke e lajmeve Anadolu Agency, 5 milionë myslimanë u masakruan dhe 5 milionë të tjerë u përzunë për në atë që tani quhet Turqi gjatë shpërbërjes së Perandorisë Osmane dhe dekadave të para të krijimit të shtetit Turk.

    Siç e shpjegon dhe artikulli tjetër këtu, myslimanët që u përzunë nga ajo që tani quhet Greqi (dhe llogjikisht edhe ata që u masakruan) ishin thjesht.......Grekë, ndërsa të krishterët e deportuar ishin thjesht....Turq (Turqishfolës): Catalca: The Turkish Town Full of Greek Speakers

    Sipas praktikës së asaj kohe, të gjithë myslimanët e Ballkanit (që atëherë me të drejtë quhej Rumeli - Toka e Romakëve) duhej të deportoheshin për në Anatoli, dhe të gjithë të krishterët e Anatolisë duhet të deportoheshin për në Rumeli (tani njihet si Ballkan).


    Procesi i deportimit dhe masakrimit të ndërsjellë filloi në 1821 me revolucionin Romak (tani i riemëruar si revolucioni grek) dhe përfundoi me pushtimin e Qipros së veriut nga Turqia në 1974, plot 153 vjet. Dokumentari jashtëzakonisht i përpiktë i televizionit Grek Skai e tregon qartë mendësinë e asaj kohe kur dëbimi dhe shfarosja ishin diçka normale a aplikuar bashkë nga myslimanët dhe të krishterët. (Ky dokumentar është edhe fakt i pakundërshtueshëm që akademia greke e tregon historinë e vërtetë pa ndërhyrje nga qeveria tashmë, sepse janë integruar me akademitë perëndimore, kanë pavarësi. Historianët shqiptarë nuk e kanë një liri të tillë për shkak të rrogave qesharake dhe mosintegrimit me perëndimin.) Madje edhe gjenocidi i boshnjakëve nga Serbia në 1995 dhe pastrimi etnik i shqiptarëve në KS nga Serbia në 1999 është pjesë e të njëjtës praktikë që kishte pushuar në 1974, por që dështoi këtë herë nga ndërhyrja Amerikane. Kështu që 1974 është data e fundit.

    Përgjatë këtyre 153 vjetëve, me qindra mijëra myslimanë (duke përfshirë dhe ata shqiptarë) duhet të dëboheshin për në Anatoli, më vonë Turqi, apo thjesht të masakroheshin nga të krishterët. Turqit bënin të njëjtën gjë nga ana tyre, ose dëbim i të krishterëve, ose masakrim. Normal.

    Siç dëshmohet edhe nga dokumenti në lidhje me At. Gjergj Fishtën më poshtë, elita myslimane shqiptare e kishte tepër të qartë që duhet të dëboheshin për në Turqi, dhe nëse kundërshtonin, thjesht do masakroheshin. Kështu që elita myslimane ju lut elitës së krishterë që t'i shpëtonte. Rreziku i dëbimit dhe masakrimit të myslimanëve shiqptarë për në Anatoli/Turqi i detyroi elitën myslimane shqiptare që të adoptonte simbolet e krishtera që ofronin të krishterët e shqipërisë, si simbole të tyre. Turhan Pashai vetë i kërkon At. Gjergj Fishtës që të kryesonte delegacionin në Shën Petersburg sepse Turhan Pashai konsiderohet si Turk, dhe jo Shqiptar, nga Evropa. Elita myslimane e kishte të qartë që vetëm masakrimi i priste, ose dëbimi.

    Gjë që shpjegon dhe faktin pse i madhi Ahmet Zogu I, Mbret i Shqiptarëve, imponoi identitetin e krishterë të shqiptarëve, majde dhe duke gjetur grua katolike, kur vetë ishte anti katolik i tërbuar, që vetë kishte masakruar Republikën e Mirditës.

    Dokumentari italian Albania il paese di fronte Documentario është çmendurisht i bukur që tregon madhështinë e Ahmet Zogut. Mos harrojmë që gjatë Mbretërimit të Ahmet Zogut, shqiptarët myslimanë në jugosllavi dhe myslimanët grekë vazhdonin të deportoheshin për në Turqi dhe anasjelltas. Zogu I ruajti dhe imponoi simbolet e krishtera të Shqiptarëve si simbole kombëtare, bashkë me Skënderbeun.

    Enver Hoxha vazhdoi ekzaktësisht në rrugën e Zogut I. Gjatë periudhës së Enver Hoxhës, çamët myslimanë u deportuan në Turqi si të myslimanë sipas marrëveshjes së anti shqiptarëve të tërbuar Ataturk-Venizellos në 1923 në Lozanë. Gjithashtu gjatë periudhës së Enver Hoxhës, dy shtete të tërbuara anti shqiptare, Turqia dhe Jugosllavia, ranë dakord që shqiptarët e jugosllavisë të deportoheshin në Turqi si Turq Myslimanë, jo si Shqiptarë në vitet 1960. Gjatë kësaj periudhe gjithshtu helenizimi me forcë i arvanitasve vazhdonte pa ndërprerje.

    Si reagim, Enver Hoxha u detyrua që: 

1) Të ndalonte fetë në 1967

2) Të ngrinte monumentin e Skënderbeut në Tiranë në 1968.

3) Vazhdoi rrugën e Zogut në promovimin e motos së Pashko Vasës, Feja e Shqiptarit Është Shqiptaria.

4) Riformatoi historinë shqiptare në shkollat e shtetit duke i paraqitur të gjithë figurat shqiptare të mesjetës si kampionë të shqiptarizmit.

Si rrjedhim në periudhën 1920-1980, Zogu-Hoxha arritën krijimin e Ndërgjegjes Kombëtare Shqiptare siç e kam treguar në një postim tjetër KRIJIMI I NDËRGJEGJES SË PLOTË SHQIPTARE, 1920-1980. Që ndalimi fesë nga Enver Hoxha është nuk ka të bëjë me Marksizmin, e tregojnë qartë kujtimet e Paul Miliez, në bisedim me Enver Hoxhën në 1984, ky Enver Hoxha ankohet që kisha greke ende pretendon që ortodoksët shqiptarë janë grekë, citim - "Il cherche à faire croire que tous les orthodoxes se trouvent chez nous sont des grecs."

    Krishtërizimi i shtetit shqiptar në duart e Enver Hoxhës vazhdoi pa ndërprerje. Të sqaroj situatën këtu, në filozofinë dhe historiografinë moderne, sekularizimi, laicizimi shihen si krishtërizim, dhe ateizmi shihet si krishtërizim. Më qartë e shpreh këtë pikëpamje historiani Tom Holland në libirn e tij Dominion. Siç citon Tom Holland një filozof Indian për pushtimin anglez: "Krishtërimi përhapet me dy mënyra, me konvertim dhe me laicizim".

    Pra, si konkluzion, përdorimi i simboleve të krishtera si shqiponja me dy kokë dhe Skënderbeu nga myslimanët shqiptarë ishte is rezultat i praktikës së masakrimit dhe deportimit të myslimanëve nga Ballkani dhe të krishterëve nga Turqia, dhe si reagim, ata myslimanët shqiptarë që nuk donin të largoheshin për në Turqi (sepse shumë edhe donin, deri në vitet 1960 nga Jugosllavia) ju lutën të krishterëve që të ndërtonin një shtet shqiptar ku ata mund të jetonin. Dhe të krishterët shqiptarë pranuan.


    E njëjta situatë vazhdon dhe sot duke shtuar Nënë Terezën si heroinë kombëtare dhe duke i dhënë aeroportit emrin e saj. Mesazhi është i qartë - Shqiptarët janë Evropianë të Krishterë, ne i përkasim Evropës, jo Lindjes së Mesme.

    Pra, si përfundim, kjo është thjesht e qartë arsyeja pse një flamur i krishterë ende përdoret sot nga Shqiptarët, dhe pse një luftëtar i krishterë si Skënderbeu është hero kombëtar edhe i myslimanëve. Por duhet thënë që tani Shqiptarët janë me shumicë Agnostike/Deiste/Ateiste, jo të krishterë dhe myslimanë.


#ShqiptarëtTëParët

Comments

Popular posts from this blog

DEFINITION OF DE-DOLLARIZATION

INFLATION WILL SUBSIDE IN ....2035

CAESAR PUTIN & HOLY HEAVENLY RUSSIA