Ortodoks apo Katolik?!


ORTODOKS APO KATOLIK?!

Historiografia shqiptare ka ngecur në kohën e Enver Hoxhës.

Enver Hoxha për arsye që nuk mund të quhen as pozitive dhe as negative imponoi një zhvillim të Historiografisë shqiptare tërësisht të shkëputur nga feja, por ai praktikisht vazhdoi në rrugën e Mbretit Zog, formulimin e Pashko Vasës, Feja e Shqiptarit është Shqiptaria.

Për shkak të ngjarjeve historike asnjëherë të shpjeguara qartë nga historiografia shqiptare, ne kemi arritur në një gjendje që shqiptarët zyrtarisht mësojnë një version të historisë së shqiptarëve që është thelbësisht ndryshe nga ajo që mësohet në akademitë jashtë territoreve shqiptare.

Shembulli kryesor është Flamuri Shqiptar i Shqiponjës me dy Koka. E gjithë akademia botërore e mëson si Flamur Romak Ortodoks (më vonë për këtë përcaktim përsëri i pasaktë). Ndërsa akademia shqiptare nuk ka dalë me pozicion final to kuptimit të flamurit. Ka një arsye për këtë fshehje, ishte e drejtë se koha e kërkonte diçka të tillë. Por tani në kohën e internetit vazhdimi i mbulimit të së vërtetës shkakton konfuzion, sidomos me dokumentare dhe shkrime të çuditshme në median shqiptarofolëse që kishat në tokat shqiptarofolëse paskan qenë katolike në shekullin e 6të.

Pikë së pari, kur historianët në Perëndim përdorin fjalët Katolik, Ortodoks, Grek, Latin, këto janë kode që historianët përdorin për të veçuar periudha apo grupe të ndryshme të së kaluarës për efekt analize. Asnjë nga këto terma nuk përdoret me kuptimin e tyre të drejtpërdrejtë. Për shembull: Termi "Etërit Grekë", që përdoret tani gjerësisht për etërit e kishës që formuluan teologjinë e krishterë gjatë periudhës së Perandorisë Romake, e bënë teologjinë në dialektin e gjuhës greke antike Koine Ellinika që flitej nga tregtarët dhe marinarët, që në atë kohë kryente funksionin e Anglishtes tani në kohët moderne. Në atë gjuhë u shkruajtën dhe Ungjijtë, në gjuhën e tregtarëve. Apostulli Pal predikoi në dialektin Koine Ellinika të tregtarëve të detit. Siç lexova diku, diçka e ngjashme ka ndodhur tani me gjuhën e Pilotëve të avionëve. Një anglishte e thjeshtë me terma të përcaktuar është përcaktuar si gjuha ndërkombëtare e aviacionit për të perfeksionuar komunikimin ndërkombëtar mes tyre për të shmangur aksidendet vdekjeprurëse.

Kështu që termi "Grek" në teologji, nuk ka asnjë lidhje me atë që tani quhet kombi grek, kur diskutohet nga historianët. Madje, po të marrim si shembull Shën Gregor Nazianzen, që ishte praktikisht grek edhe nga lindja, po ta quaje me fjalën Grek, ai do të fyhej shumë dhe do të përgjigjej që ishte i Krishterë, jo Grek. Kuptimi i fjalës Grek kishte lidhje me filozofinë pagane greke që ishte në luftë me teologjinë e krishterë të asaj kohe.

Tani, ishte Skenderbeu Katolik apo Ortodoks? Përgjigje, Skenderbeu ishte i Krishterë Romak, termat katolik dhe ortodoks si IDENTITET, NUK ekzistonin në shekullin e 15të. Vetë në vulën e tij Skënderbeu deklaronte që ishte Romak (Romaios në Koine Ellinika), që në kohë kishte kuptimin i Krishterë. Vula gjendet në një muze në Danimarkë dhe paraqitur në internet.

Termi Katolik vjen nga greqishtja e vjetër Katholikos, që do të thotë Pa Cene, I plotë, Pa Shtrembërim. Në gjuhën latine fjala Universalis filloi të përdorej për ca kohë, por fjala Universalis do të thotë rrotullim rreth një qendre, praktikisht fjala Rreth, që nga ana filozofike është katastrofë sepse lë jashtë analizës hapësirën jashtë rrethit. Kështu që teologët e krishterë latinfolës u detyruan që të ripërdornin fjalën në Koine Ellinika, Katholikos, që vazhdon të përdoret ende sot e kësaj dite.

Kurse fjala Ortodoks, vjen përsëri nga Koine Ellinika, që do të thotë Doktrina e Vërtetë, Ortho Dhoksa.

Të gjitha denominacionet e krishtera në të gjithë botën deklarojnë që janë Katolikë dhe Ortodoksë, domethënë që të gjitha kanë besimin pa cene si dhe të gjitha zotërojnë doktrinën e vërtetë. Kështu që siç e shihni, një manastir i ndërtuar në shekullin e 6të nga Romakët nuk mund të jetë as katolik dhe as ortodoks si identitet, dhe është bashkë edhe katolik edhe ortodoks si teologji.

Ndërsa përsa i përket përdorimit të fjalës Katolik dhe Ortodoks si IDENTITET, kjo erdhi si nevojë e shpërbërjes së Perandorisë Osmane.

Ato që sot quhet Katolik apo Ortodoks si kod midis historianëve por si Identitet nga ana politike, kanë qenë thjesht Rituale Liturgjike të Lutjeve Kishtare të zonave të ndryshme të Krishtera që ishin ndarë nga Perandorët Romakë të Kostandinopojës për efekt menaxhimi. Secila seli ndiqte çfarëdo rituali liturgjik lutjes lokal që përdornin, nuk kishte standartizim. Roma e kishte ndryshe, dhe Kostandinopoja Roma e Re e kishte ndryshe.

Në shekullin e 6të, Perandori Romake me lindje shqiptare Justiniani (që ndërtoi dhe Shën Sofinë në Romën e Re Kostandinopojë), formoi Pentarkinë, duke ndarë Perandorinë në 5 seli, Roma, Roma e Re Kostandinopoja, Aleksandria, Antiokia, Jeruzalemi. Në atë kohë Prefektura e Ilirisë ishte brenda selisë së Romës. Në shekullin e 8të, në vitin 740, për shkak të konfliktit të ikonave i njohur si Ikonoklazëm, Perandori Leo Isaurian nga inati që Papa i Romës nuk e mbështeti në luftën kundër ikonave, ja hoqi Italinë e Jugut dhe Ilirinë nga menaxhimi i Selisë së Romës, dhe ja dha në menaxhim Selisë së Romës së Re Kostantinopojë, pasi kishte zëvendësuar Patriarkun e Romës së Re Kostantinopojë me një tjetër që i bindej atij në luftën kundër ikonave.

Qysh prej vitit 740 e tërë hapësira shqipfolëse ra nën kontrollin Ritual Liturgjik të Lutjeve sipas zakoneve Konstantinopolitane. Ta përsërisim dhe njëherë, koncepti katolik dhe ortodoks si identite të ndryshme nuk ekzistonte.

Në vitin 1054 Roma dhe Roma e Re Konstandinopoja shkëpusin marrëdhëniet për arsye politike të veshura në sipërfaqe me arsye teologjike. Shkëputja e marrëdhënieve nuk u pasqyrua në terren, krishtërimi vazhdoi të ishte i bashkuar, por Roma tani nuk ishte më pjesë e Perandorisë Romake me qendër në Romën e Re Konstandinopojë, por në zotërimin e Mbretërve Gjermanikë. Tani, Roma, e ndikuar nga Mbretërit Gjermanikë filloi të penetronte në territorin liturgjikal të Konstandinopojës. Kulmi arriti në 1204 kur Kryqtarët shkatërruan Kostandinopojën pasi Perandori që ata ndihmuan të merrte fuqinë i gënjeu dhe nuk pagoi shumën e premtuar që ata të vazhdonin fushatën për rimarrjen e Jeruzalemit nga Myslimanët.

Megjithatë, edhe pas tërheqjes së Kryqtarëve nga Kostandinopoja Roma e Re gati 80 vjet më vonë, krishterimi vazhdoi të ishte i bashkuar, sadoqë që Patriarku në Kostandinopojë dhe Papa në Romë vazhdonin kofliktin direkt ndërmjet tyre për kontrol territoresh liturgjikalë.

Kjo situatë vazhdoi edhe me pushtimin e Konstantinopojës nga Osmanët (jo Turqit, koncepti i Kombit Turk u shpik nga Ataturku në 1923), krishtërimi vazhdoi përsëri të ishte i bashkuar deri në fund të shekullit të 17të. Gjatë kësaj periudhe, Kostandinopoja Roma e Re dhe Roma bënë një tentativë pajtimi me këshillat e Ferrarës dhe Firences që filluan në vitin 1431 dhe mbaruan në vitin 1449 me pajtimin e Papës dhe Patriarkut nën detyrimin e Perandorit Romak Paleolog XI të Romës së Re Kostandinopojë. Gjatë kësaj periudhe Skënderbeu ri-merr Krujën nga Osmanët (jo Turqit), dhe fillon luftën në bashkëpunim me të krishterët në Perëndim të Evropës. Përsëri, e tërë hapësira shqipfolëse duke përfshirë territorin që tani quhet Kosovë, i riemëruar si Kosovë nga Perandoria Bullgare gjatë shekullit të 9të, prej 7 shekujsh kishte qenë në kontrollin e ritualeve liturgjike të Konstandinopojës, që tani quhen Ortodokse. Gjatë kësaj periudhe fiset sllave që kishin pushtuar territoret Romake ishin ndarë disa në kontrollin ritual liturgjik të Romës që tani quhet Kroatë, dhe disa të tjerë në kontrollin ritual të Konstantinopojës që tani quhen Serbë. Bullgarët kishin pranuar ritualin Konstandinopolitan qysh kur krijuan Perandorinë e tyre në shekullin e 9të deri në shekullin 10të. Përsëri, ta përsërisim përsëri, koncepti identitar katolik dhe ortodoks NUK EKZISTONIN ende. Skënderbeu ishte thjesht Romak i Krishterë nga ana fetare, nuk ishte katolik apo ortodoks. Por vetë Skenderbeu, u martua në Manastirin e Ardenicës që ishte nën kontrollin ritual liturgjik të Konstantinopojës, që tani quhet Ortodoks.

Në vitin 1683 Osmanët humbin betejën e Vjenës ndaj aleancës së Krishterë të drejtuar nga Mbreti Polak Jan Sobieski. Papa i Romës filloi të mendonte për kryqëzata ndaj Osmanëve, gjë që i bëri sulltanët të kenë shumë frikë. Deri në atë kohë, krishtërimi përsëri ishte i bashkuar, murgjit vazhdonin të bashkëmeshonin në kisha me ritual të kontrolluar nga Papa i Romës dhe në kisha të kontrolluar me ritual nga Patriarku i Konstaninopojës. Frika e Kryqëzatave i bëri sulltanët që të ndalonin bashkëpunimin midis kishave të Romës dhe Konstandinopojës, kështu që fundi i shekullit të 17të shënon ndarjen e vërtetë praktike të Romës dhe Konstantinopojës.

Gjatë kësaj periudhe Osmanët e kishin ndarë popullsinë e perandorisë në 5 grupe fetare që ata i quanin Milet: Romakët (Rum në Osmanisht), Myslimanët, Hebrejtë, dhe 2 grupe fetare Armene. Numërimi i Popullsisë bëhej vetëm me identitet fetar të Sistemit të Miletit, Osmanët nuk kishin interes në identite linguistike. Në atë kohë të gjithë të krishterët numëroheshin si Romakë, pa rëndësi nëse flisje shqip, greqisht, serbisht, arabisht, bullgarisht, osmanisht, apo gjuhën fenikase (që njihet tani lebanisht). Gjatë kësaj kohe, me ndihmën e tregtarëve Venecianë, Xhenovezë, dhe Mbretërve Francezë etc, Papa i Romës arrin që të penetrojë disi në territoret nën kontrollin e Patriarkut të Konstandinopojës, dhe të ndryshojë ritualet nga ato Konstadinopolitane në ato Romane, që sot shihet për shembull në ato që tani quhen zona katolike në territoret shqiptare dhe disa ishuj që tani janë pjesë e Greqisë. Penetrimi ishte shumë i pakët.

Në vitin 1839, me ndikimin e Francës dhe nën kontrollin e Francës, Sulltani jep leje që të krijohej Mileti Katolik që prekte kryesisht zonat në veri të Rumelisë - Toka e Romakëve (që u riemërtua si Ballkan në fillim të shekullit të 20të nga evropa perëndimore) si dhe Maronitët në territorin e ish-fenikasve që tani quhet Liban (libanezët ende flasin një version të gjuhës së fenikasve të famshëm që shpikën alfabetin që përdoret sot në të gjithë botën duke përfshirë dhe shqiptarët).

Viti 1839 shënon fillimin e konceptit të Identitetit Katolik dhe Ortodoks, jo më si koncepte teologjike, por si koncepte Identiteti, të detyruar nga proçesi i shpërbërjes së Perandorisë Osmane. Në vitin 1870, Këshilli Vatikan I vendos zyrtarisht emrin Katolik si identitet i kishave që kontrollohej nga Roma. Disa vite më parë, Mbreti Gjerman i Greqisë Otto kishte krijuar Kishën e Greqisë, por termi ortodoks nuk u përdor fare si identitet. Edhe kisha e Rusisë apo e Serbisë (krijuar në vitin 1920) nuk e inkorporojnë zyrtarisht termin Ortodoks. Termi Ortodoks filloi të përdorej hapur nga fillimi i shekullit të 20të si kundërveprim ndaj Këshillit Vatikan I. Kështu që kisha e Shqipërisë u formua duke inkorporuar termin Ortodoks zyrtarisht në identitetin e saj, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë.

Qysh nga kjo kohë historiografia botërore filloi të përdorte termat Katolik apo Ortodoks kur i referohej analizës historike për arsye studimi, por në politikë këto terma morrën kuptim komplet tjetër që çuan në luftra ballkanike.

Tepër treguese e fuqisë 700 vjeçare të Ritualit Konstandinopolitan, pasardhësit e Skendebeut në Itali luftuan dhe rezistuan fort për gati 400 vjet që të mos ndryshonin Ritin derisa më në fund Roma e pranoi. Sot e kësaj dite Arbëreshët e Italisë ruajnë fort Ritualin Konstandinopolitan të Liturgjisë, 1300 vjet qysh nga shekulli i 8të kur Prefektura e Ilirisë kaloi në menaxhim të Konstandinopojës Romës së Re.

Aplikim i termave moderne në të kaluarën historike, në fushën historiografike quhet Anakronizëm. Anakronizmi tani ka filluar të luftohet në historiografinë perëndimore qysh nga rënia e Bashkimit Sovjetik në 1991, dhe budallallëqe të tilla si identiteti grek apo serb në shekullin e 15të si ortodoks apo katolik tani shihen me tallje në simpoziume që bëhen për Historinë Bizantine apo të Krishtërimit Perëndimor.

Historiografia shqiptare është më e prapambetura në këtë drejtim, ka ngecur në një injorancë të thellë historiografike, shqiptarët ende nuk e dinë kuptimin e flamurit shqiptar, jo më të dinë histori të vërtetë.

Në një shkrim tjetër do të shpjegoj përse Rilindja Shqiptare adoptoi Flamurin Romak të Krishterë që ne përdorim sot.


Ektrit Manushi

EktritReport.com

twitter.com/ektrit

Comments

Popular posts from this blog

DEFINITION OF DE-DOLLARIZATION

INFLATION WILL SUBSIDE IN ....2035

CAESAR PUTIN & HOLY HEAVENLY RUSSIA